Nën heshtje dhe larg syrit të publikut, qeveria shqiptare ka akorduar 6.2 milionë euro për rikonstruksionin e një prej rezidencave qeveritare në Mali e Dajtit, në afërsi të banesës së kryeministrit Edi Rama.
Bëhet fjalë për “Vilën Dajt”, një ndër godinat e trashëguara nga regjimi komunist, që prej vitesh shërben si hapësirë për mbledhje qeveritare apo pushime zyrtarësh të lartë.
Në qendër të këtij zhvillimi është Dhurata Frashëri, drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, e njohur si një nga burokratet më të zellshme për t’i përmbushur dëshirat e kupolës së pushtetit, në veçanti të kryeministrit Rama. Pasi firmosi tjetërsimin e rezidencave në Ujin e Ftohtë dhe Velipojë, Frashëri ka kaluar në një tjetër “dhuratë” luksi: restaurimin e Vilës në Dajt.
Tender pa transparencë, në stilin “negocim pa shpallje”
Sipas dokumenteve , procedura e tenderit është zhvilluar me “negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” një praktikë që gjithnjë e më shumë po përdoret për të shmangur konkurrencën dhe për të favorizuar kompani të caktuara.
