Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia që i mori jetën një familjeje shqiptare në Itali, e cila u helmua nga monoksidi i karbonit në banesën e saj. Ernest Çela, fqinj dhe bashkëatdhetar i familjes Kola, ka treguar për mediat italiane momentet dramatike kur u futën në banesë.
Sipas tij, mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30, në banesë mbërritën karabinierët së bashku me vëllain e kryefamiljarit. Menjëherë ata hynë brenda dhe u ngjitën në katin e dytë të shtëpisë, ku u përballën me një skenë të rëndë.
“Kur hymë në banesë, i gjetëm katër trupat të shtrirë në tokë, pa ndjenja. Shkova menjëherë t’i kontrolloja dhe në atë moment kishin ende puls”, tregon Ernest Çela.
Ai shton se situata u përkeqësua shumë shpejt, pasi pak çaste më vonë vëllai i viktimës humbi ndjenjat, ndërsa edhe vetë ai filloi të ndjehej keq.
“Në një moment, xhaxhai i djalit humbi ndjenjat dhe më pas edhe mua filluan të më merreshin mendtë. Së bashku me babanë tim dhe dy karabinierët kuptuam se në ajër kishte diçka të rrezikshme, një gaz. Atëherë dolëm menjëherë jashtë”, shprehet ai.
Sipas dëshmisë së tij, pasi dolën nga banesa, u bë e qartë se në ambient kishte monoksid karboni. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe ambulanca, ndërsa personat që hynë në banesë morën ndihmën e parë.
“Kur u hap një dritare, doli edhe një tym i bardhë. Deri në momentin që unë isha brenda, ata kishin ende puls”, përfundon ai me dhimbje.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë teknike që çuan në këtë ngjarje tragjike.
