Reagime politike kanë pasuar përshkallëzimin e protestës së opozitës në Tiranë, ku janë regjistruar akte dhune ndaj institucioneve shtetërore.
Drejtuesi socialist, Taulant Balla, ka reaguar përmes një postimi, duke kritikuar ashpër veprimet e protestuesve. Ai theksoi se ndërkohë që përfaqësues të institucioneve europiane dhe gjermane bëjnë thirrje kundër protestave të dhunshme, sipas tij, protestues të Partisë Demokratike po hedhin molotovë duke mbajtur në duar flamuj të Bashkimit Evropian dhe të Gjermanisë.
“Ndërsa anëtarët e Parlamentit Europian apo të Bundestagut gjerman bëjnë thirrje se ‘protestat e dhunshme s’kanë vend në demokraci’, Partia Demokratike i hedh molotovët me flamujt e BE dhe gjermanë në duar”, shkruan Balla.
Protesta në kryeqytet ka marrë përmasa të gjera dhe është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar.
