Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA dhe ish-komisioneri europian i tregtisë, Peter Mandelson, është vënë nën hetim penal, pas dyshimeve se ka ndarë informacione të ndjeshme qeveritare me Jeffrey Epstein gjatë kohës që shërbente në poste të larta shtetërore.
Hetimi është hapur pas publikimit të dokumenteve të reja që sugjerojnë se Mandelson mund t’i ketë kaluar Epsteinit të dhëna të brendshme për tregjet dhe politikat qeveritare, si dhe dyshime për pagesa financiare mes tyre, të cilat ai ka deklaruar se nuk i kujton. Çështja ka vënë nën presion edhe kryeministrin britanik Keir Starmer, për mënyrën se si është kryer procesi i verifikimit për emërimin e Mandelson si ambasador në Uashington.
Sipas raportimeve të BBC, lidhjet e Mandelson me Epstein datojnë prej vitesh dhe janë rikthyer në vëmendje pas publikimit të dosjeve të reja, ku përfshihen emaile dhe korrespondencë të vjetër. Pas këtyre zhvillimeve, Mandelson ka dhënë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për ta larguar nga çdo rol publik.
Policia britanike ka konfirmuar nisjen e hetimit penal për të sqaruar nëse ka pasur shkelje ligjore dhe cenim të sigurisë kombëtare. Hetimet pritet të fokusohen në periudhën kur Mandelson ishte pjesë e qeverisë dhe në natyrën e marrëdhënieve të tij me Epsteinin.
