Për të tretën ditë radhazi, banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë kanë vijuar protestën kundër ndërtimit të një resorti turistik, duke akuzuar qeverinë për grabitje pronash dhe duke paralajmëruar përshkallëzim të situatës me bllokim rrugësh dhe protesta para SPAK.
Banorët pretendojnë se projekti rrezikon rreth 80 banesa dhe se po u merren tokat në kundërshtim me ligjin, pavarësisht se disponojnë dokumente pronësie dhe vendime gjyqësore. Në deklaratat e tyre, ata drejtuan akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, duke i krahasuar me figura të regjimit komunist.
“Edi Rama sillet si Enver Hoxha, ndërsa Balluku si Themie Thomai. Ne nuk do të ndalemi,” u shpreh një nga protestuesit, duke theksuar se protesta do të vazhdojë “jo vetëm 3 ditë, por edhe 300 ditë nëse është e nevojshme”.
Banorët akuzuan gjithashtu biznesmenin Bashkim Ulaj dhe një ish-zyrtar lokal si përgjegjës për situatën, duke kërkuar praninë e tyre në terren për t’u përballur me komunitetin. Ata bënë thirrje edhe për ndërhyrjen e kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, që të dëgjojë shqetësimet e tyre.
Në shenjë përshkallëzimi, protestuesit paralajmëruan se do të bllokojnë rrugën kryesore dhe do të protestojnë para Prokurorisë së Posaçme, ku kërkojnë të priten nga drejtuesit e saj. Banorët thanë se protesta e tyre është paqësore, por denoncuan prani të shtuar policore dhe arrestime të disa të rinjve një ditë më parë.
“Ne nuk jemi pushtues, i kemi tokat me letra dhe me vendime gjykate. Nuk kemi ku të shkojmë më,” deklaruan ata, duke u shprehur të vendosur se nuk do të tërhiqen pa një zgjidhje konkrete për çështjen e pronave.
