Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime me disa kongresmenë amerikanë për çështje që lidhen me demokracinë dhe sigurinë në Shqipëri.
Gjatë bisedimeve, Tabaku ka ngritur shqetësimin për ndikimin e grupeve kriminale në politikë dhe në proceset zgjedhore, duke theksuar se lufta reale kundër krimit të organizuar është kusht për zgjedhje të lira dhe funksionimin e shtetit ligjor. Ajo ka theksuar gjithashtu se klima aktuale e biznesit dhe zbatimi selektiv i ligjit po largojnë investitorët seriozë nga Shqipëria.
Një tjetër temë e diskutuar ka qenë siguria e investimeve strategjike dhe infrastruktura kritike, të cilat sipas Tabakut lidhen drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare. Deputetja e PD-së ka nënvizuar se këto çështje janë pjesë e nismave të saj parlamentare, por janë refuzuar nga mazhoranca.
Sipas saj, vizita në SHBA synon forcimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik amerikan dhe ndërkombëtarizimin e problematikave që lidhen me sundimin e ligjit dhe ekonominë në Shqipëri.
