Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me nga 4 vjet e 8 muaj burg secili në Britaninë e Madhe, pasi u shpallën fajtorë për një seri grabitjesh të organizuara, mes tyre edhe tentativa për të vjedhur shtëpinë e një futbollisti të njohur të Premier Ligës.
Denis Puka, 28 vjeç, dhe Erisjan Laska, 29 vjeç, së bashku me një person të tretë ende të paidentifikuar, kryen shtatë grabitje brenda tre netësh rresht në qershor të vitit të kaluar. Ata kishin marrë me qira një banesë përmes Airbnb në Warrington, të cilën e përdornin si bazë për lëvizjet e tyre kriminale në zona të ndryshme.
Grupi vepronte me maska, mjete thyerjeje, radio dore dhe përdorte një automjet me targa të falsifikuara. Mes pronave të shënjestruara ishte edhe shtëpia e futbollistit Scott Hogan, ish-lojtar i Aston Villa dhe Birmingham City. Në momentin e tentativës për grabitje, në banesë ndodheshin bashkëshortja shtatzënë e lojtarit dhe vajza e tyre e vogël.
Futbollisti u zgjua nga zhurmat dhe drita e pishtarëve, pa tre persona jashtë dritares dhe i ndoqi, por ata arritën të largohen. Sipas deklaratës së tij në gjykatë, ngjarja i ka shkaktuar ankth të madh dhe net pa gjumë për familjen.
Në grabitje të tjera, autorët arritën të vjedhin ora luksoze të markave Rolex dhe Breitling me vlerë rreth 9 mijë paund, ndërsa në disa raste u larguan pa marrë asgjë për shkak të pranisë së pronarëve në banesa.
Ata u arrestuan një javë më vonë, pasi policia gjeti automjetin e përdorur me sende komprometuese brenda, përfshirë mjete, rroba, telefona dhe targa të rreme. Të dy shqiptarët pranuan fajësinë për të gjitha akuzat dhe u dënuan me burg nga gjykata britanike.
