Shqiptarët blejnë më pak rroba: emigrimi dhe shtrenjtimi po zbrazin tregun

Data

Blerja e veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar presionin e fortë që rritja e kostove të jetesës dhe emigrimi po ushtrojnë mbi konsumin familjar. Të dhënat zyrtare tregojnë se importet e tekstileve dhe këpucëve ranë në 86,4 mijë tonë, me një ulje prej 9% krahasuar me vitin 2024.

Aktorët e tregut e lidhin këtë rënie kryesisht me tkurrjen e popullsisë. Shqipëria ka humbur mbi 27 mijë banorë vetëm brenda një viti, ndërsa krahasuar me Censin e vitit 2011, popullsia është reduktuar me më shumë se 17%. Goditja më e fortë është ndjerë te grup-moshat deri në 30 vjeç, pikërisht shtresa që shpenzon më shumë për veshje dhe modë, e cila po largohet masivisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Si pasojë, tregu vendas po mbetet me një popullsi gjithnjë e më të plakur, me prioritete të tjera konsumi dhe me nevoja më të ulëta për blerje të shpeshta veshjesh. Paralelisht, familjet shqiptare po përballen me rritje të fortë të shpenzimeve për ushqime, energji, qira dhe banesa, çka ka detyruar shumë prej tyre të shkurtojnë shpenzimet që nuk konsiderohen jetike.

Në këtë realitet, veshjet dhe këpucët janë zhvendosur nga nevoja e menjëhershme në shpenzime që mund të shtyhen. Konsumatorët po blejnë më rrallë, po përdorin më gjatë rrobat ekzistuese ose po orientohen drejt tregut të dorës së dytë, ndërsa buxheti familjar shkon kryesisht për mbijetesë.

Tregtarët pranojnë se situata do të ishte edhe më problematike pa ndikimin e turizmit. Sipas tyre, rreth 10–15% e xhiros ditore të dyqaneve të veshjeve realizohet nga turistët, të cilët blejnë kryesisht produkte të lira për përdorim të përkohshëm gjatë qëndrimit në Shqipëri. Megjithatë, ky efekt nuk mjafton për të kompensuar rënien strukturore të konsumit vendas.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related