Juristi i Partisë Demokratike, Marash Logu, ka kërkuar që çështja e mbetjeve të rrezikshme të dala nga Porti i Durrësit të kalojë për hetim në Prokurorinë e Posaçme dhe të zgjerohet deri te funksionarët e lartë shtetërorë. Duke komentuar 33 masat e sigurisë të lëshuara nga Prokuroria e Durrësit, Logu u shpreh se ky hetim nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e punonjësve apo specialistëve të mesëm.
Sipas tij, rasti përmban elementë të qartë të një veprimtarie të organizuar kriminale, për shkak të numrit të madh të personave të përfshirë, mënyrës së funksionimit dhe faktit që kjo skemë dyshohet të jetë përsëritur në kohë. Logu theksoi se Prokuroria e Durrësit, për shkak të kufizimeve ligjore, nuk ka kompetencë të hetojë ministra dhe drejtues të lartë institucionesh, ndaj duhet të shpallë moskompetencë dhe t’ia kalojë dosjen SPAK-ut.
Ai përmendi konkretisht se përgjegjësia politike dhe institucionale duhet të shkojë deri te ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Piro Vëngu, i cili në kohën e skandalit mbante postin e drejtorit të Portit të Durrësit dhe sot është ministër. Sipas Logut, këta janë titullarët e institucioneve që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi portin, mjedisin dhe doganat.
Juristi solli si shembull edhe rastin “Bankers”, ku fillimisht hetimi u nis nga një prokurori lokale dhe më pas iu kalua SPAK-ut, çka hapi rrugën për hetimin e plotë të çështjes. Ai u shpreh se edhe në këtë rast, vetëm Prokuroria e Posaçme ka mjetet dhe kompetencat për të zbardhur të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë.
Sipas Logut, masat e sigurisë të marra mund të kenë qenë të domosdoshme për të shmangur prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve, por tashmë hapi i radhës duhet të jetë kalimi i dosjes në SPAK. Vetëm në këtë mënyrë, tha ai, mund të hetohet nëse pas skandalit të mbetjeve toksike qëndrojnë vendimmarrje të qëllimshme në nivelet më të larta të qeverisjes.
