Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike lidhur me kallëzimin penal të depozituar ndaj deputetit dhe ish-kryetarit të Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, për dyshime mbi shkeljen e barazisë në procedurat e tenderimit publik gjatë ushtrimit të detyrës si kryebashkiak.
Kallëzimi penal është depozituar në SPAK nga përfaqësuesja e PD-së, Adriana Kalaja, e cila ka kërkuar hetim për procedurat e prokurimit të zhvilluara në Bashkinë Tepelenë.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar Partisë Demokratike, SPAK konfirmon se:
“Është regjistruar procedim penal për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’.”
Prokuroria sqaron se procedimi penal ndodhet aktualisht në fazë hetimore, ndërsa veprimet hetimore nuk kanë përfunduar ende.
“Në këtë çast, aktet hetimore përbëjnë sekret hetimor. Shtetasi Tërmet Peçi nuk është pyetur ende në lidhje me rrethanat objekt hetimi”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
SPAK nuk jep detaje të mëtejshme mbi tenderat konkretë apo periudhën që po hetohet, duke theksuar se çdo informacion i mëtejshëm do të bëhet publik vetëm pas përfundimit të veprimeve procedurale.
Kallëzimi ndaj Tërmet Peçit vjen në kuadër të një sërë denoncimesh të bëra nga opozita për abuzime me fondet publike dhe procedurat e prokurimit në pushtetin vendor, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka theksuar se hetimet do të zhvillohen në përputhje të plotë me ligjin dhe pa paragjykime politike.
