Tensionet në Kuvend arritën kulmin gjatë seancës plenare, ku kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi akuza të forta ndaj mazhorancës socialiste për mbrojtjen politike që, sipas tij, po i bëhet zv/kryeministres Belinda Balluku.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha akuzoi deputetët e PS-së se po sillen si “ushtarë”, duke përdorur procedurat parlamentare për të bllokuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut. Ai e cilësoi këtë veprim si një akt të rëndë antikushtetues dhe një përpjekje të hapur për ta kthyer Parlamentin në një mburojë për korrupsionin.
“Si mund të mbroni një hajdute? Si mund të bëheni ushtarë të Ramës për të shpëtuar Ballukun?”, deklaroi Berisha, duke iu drejtuar drejtpërdrejt deputetëve socialistë. Sipas tij, mazhoranca nuk po mbron thjesht një ministre, por po mbron një sistem të tërë vjedhjeje dhe abuzimi me paratë e shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Berisha paralajmëroi se mbrojtja politike e Ballukut do të ketë pasoja serioze për të gjithë ata që sot po e justifikojnë. “Ju mbroni Ramën sot, por Rama do t’ju marrë me vete nesër. Do të fundoseni bashkë”, u shpreh ai me tone kërcënuese politike.
Deklaratat e forta u shoqëruan me tensione në sallë, ndërhyrje të drejtueses së seancës dhe reagime nga deputetët e mazhorancës, ndërsa opozita akuzoi Kuvendin se po shkel hapur Kushtetutën për të penguar drejtësinë dhe për të bllokuar veprimet e SPAK.
