Debatet në Kuvend u ashpërsuan gjatë seancës plenare, ku kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi ashpër ndaj akuzave të kreut të opozitës, Sali Berisha.
Nga foltorja, Balla i kërkoi Berishës të ndalë gjuhën fyese dhe akuzuese ndaj mazhorancës, duke theksuar se ai nuk ka asnjë autoritet moral për të folur në emër të drejtësisë apo ndershmërisë politike. “Kur i drejtohesh këtij krahu, laje mirë gojën dhe ngrije kokën”, deklaroi Balla, duke e akuzuar Berishën për korrupsion dhe pastrim parash.
Ai theksoi se Partia Socialiste nuk ka bërë asnjë akuzë më shumë sesa ato të artikuluara edhe nga Shtetet e Bashkuara, duke iu referuar shpalljes “non grata” të Berishës. “Je i akuzuar për korrupsion, drejtësia të ka marrë të pandehur dhe prapë vjen këtu e flet si i ndershëm”, tha Balla.
Në vijim të fjalës së tij, Balla akuzoi Berishën se përpiqet të viktimizohet politikisht dhe të sulmojë institucionet, ndërsa shmang përgjegjësinë personale për çështjet me drejtësinë. Ai shtoi se ka qenë dhe mbetet krenar që ka kallëzuar Berishën dhe se do ta bënte sërish pa asnjë hezitim.
Në përfundim, Balla sfidoi opozitën të sqarojë qëndrimin e saj institucional, duke i kërkuar Berishës të tregojë nëse do të marrë pjesë apo jo në komisionet parlamentare. “Laje gojën sa herë përmend PS. Përgjigjen ta ka dhënë dhe do ta japë sërish”, përfundoi ai.
