Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren, ka intensifikuar kontrollet në qytetet e Vlorës dhe Sarandës, në kuadër të aksionit për verifikimin e pagave të punonjësve në sektorin e ndërtimit dhe kontratave të shitjes së apartamenteve nga agjencitë imobiliare.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar agjenci imobiliare dhe kompani ndërtimi të regjistruara, të cilat ushtronin aktivitetin e tyre duke përdorur vetëm një NIPT, megjithëse zhvillonin disa veprimtari njëkohësisht. Sipas tatimeve, nga këto subjekte është evidentuar evazion fiskal në shuma të konsiderueshme.
Shkelje të tjera të rënda lidhen me mosdeklarimin e punonjësve të ndërtimit në sistemin tatimor, si dhe deklarimin e pagave më të ulëta sesa ato reale. Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe njësi kompjuterike me të dhëna financiare, të cilat po analizohen nga strukturat përkatëse.
Kontrollet në terren kanë nisur që prej datës 16 janar dhe do të vijojnë në të gjithë vendin. Tatimet kanë paralajmëruar se subjektet që nuk respektojnë pagat dysheme të përcaktuara nga data 1 dhjetor 2025 do të konsiderohen me risk të lartë për nëndeklarim dhe do t’i nënshtrohen verifikimeve të thelluara.
Sipas listës së publikuar nga tatimet, paga minimale për punonjësit e ndërtimit është vendosur në 80 mijë lekë, me përjashtim të sanitarëve që do të kenë pagë dysheme 60 mijë lekë. Ky vendim ka rritur automatikisht pagën mesatare në sektorin e ndërtimit nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë.
Hetimet janë shtrirë gjithashtu edhe në shitjen e apartamenteve, përfshirë parapagimet, faturimin e transaksioneve, kontratat e qirasë dhe shoqërimin e mallrave me dokumentacion tatimor të rregullt.
