POLITICO: Brukseli kërkon respektimin e sundimit të ligjit pasi ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku shmang arrestimin

Data

Parlamenti i Shqipërisë votoi kundër heqjes së imunitetit për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila përballet me akuza për korrupsion, një zhvillim që ka tërhequr vëmendjen dhe reagimin e institucioneve europiane.

Sipas raportimit të medias ndërkombëtare POLITICO, vendimi i Kuvendit ka shkaktuar paralajmërime nga Brukseli për ndikimin që kjo çështje mund të ketë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Edi Rama dhe shumica socialiste mbrojtën Ballukun në votim, ndërsa Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar autorizim për arrestimin e saj në kuadër të hetimeve për ndërhyrje në projekte infrastrukturore me vlerë mbi 200 milionë euro.

Balluku u shkarkua nga detyra në fund të shkurtit si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa ajo ka mohuar akuzat për shkelje ligjore.

Një zëdhënës i Komisionit Europian deklaroi se angazhimi ndaj sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë elementë kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sipas tij, është thelbësore që institucionet e drejtësisë të kenë mundësinë të kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa pengesa.

Edhe ambasadat e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës reaguan pas votimit, duke theksuar rëndësinë e ndjekjes efektive penale të rasteve të korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta të qeverisjes.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama reagoi duke deklaruar se qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi dhe procesit të integrimit europian, duke theksuar se vendimi i parlamentit ishte në përputhje me procedurat kushtetuese.

Në raportimin e saj, POLITICO përmend gjithashtu edhe raste të tjera të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë në Shqipëri, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i kërkuar nga drejtësia për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim për akuza të ngjashme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related