Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e së enjtes në Hamburg, ku një vajzë 18-vjeçare humbi jetën pasi u shty në shinat e metrosë në stacionin Wandsbek Markt.
Sipas autoriteteve gjermane, viktima, Fatemeh D., u sulmua rreth orës 22:00 nga një shtetas sudanez, Ariop A., 25 vjeç. Hetimet paraprake tregojnë se mes dy personave nuk ka pasur asnjë njohje apo konflikt të mëparshëm dhe se sulmi ishte i rastësishëm. Autori humbi jetën në vendngjarje pas përplasjes me trenin.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të thellë te familjarët dhe komuniteti. Në rrjetet sociale, nëna e 18-vjeçares ka ndarë mesazhe prekëse në kujtim të vajzës së saj, duke e përshkruar si “një engjëll” dhe duke shprehur pikëllimin për humbjen e papritur.
Mediat lokale raportojnë se autori kishte pasur episode të mëparshme dhune dhe ishte në vëmendje të autoriteteve. Ai ishte ndaluar pak ditë më parë për një incident tjetër, por ishte liruar më pas. Sipas policisë, 25-vjeçari kishte hyrë në Gjermani në mesin e vitit 2024 përmes një programi humanitar dhe jetonte në një strukturë akomodimi në Hamburg.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë deklaruar se autori shfaqte sjellje të çrregullta pak minuta përpara sulmit dhe i ishte drejtuar viktimës me kërcënime verbale. Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse.
