Protestës së zhvilluar në Tiranë i janë bashkuar edhe qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Gjatë grumbullimit të protestuesve në Sheshi Skënderbej, një pjesëmarrës deklaroi se kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u bërë pjesë e demonstratës.
Sipas tij, angazhimi i diasporës në protestë është një tregues i pakënaqësisë që, sipas protestuesve, shtrihet përtej kufijve të Shqipërisë.
“Jetoj në Amerikë prej 18 vitesh. Këtu kam ardhur vetëm si qytetar për t’iu bashkuar popullit. Kam ardhur vetëm për protestën”, u shpreh ai para mediave.
Protestuesi deklaroi se kërkesa e tij kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike që, sipas tij, do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
Ai gjithashtu pretendoi se në ditët në vijim protestës mund t’i bashkohen edhe më shumë shqiptarë nga diaspora.
Ndërkohë, protesta e së martës është pjesë e një serie tubimesh të organizuara në kryeqytet, ku pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësi për çështje të ndryshme politike, ekonomike dhe institucionale. Autoritetet nuk kanë publikuar ende të dhëna zyrtare mbi numrin e pjesëmarrësve në tubim.
