“Rritja e çmimeve, barrë e rëndë për qytetarët”/ Alimehmeti: Po paguajmë më shumë për të mbuluar dështimet e qeverisë

Data

Rritja e menjëhershme dhe e pazakontë e çmimeve të një sërë medikamentesh bazë ka shkaktuar shqetësim të fortë te qytetarët, veçanërisht te pacientët kronikë që varen çdo ditë nga trajtimet mjekësore. Sipas drejtuesit të Departamentit të Shëndetësisë, Ilir Alimehmeti, kjo rritje nuk lidhet aspak me tregjet ndërkombëtare apo me kursin e këmbimit, por me një vendim të brendshëm që rëndon drejtpërdrejt mbi xhepat e qytetarëve.

Në një intervistë televizive, Alimehmeti theksoi se rritja e çmimeve përfshin antibiotikë, barna për diabetin, sëmundjet autoimune, tumoret dhe medikamente të tjera jetike, disa prej të cilave janë shtrenjtuar deri në disa dhjetëra herë. Sipas tij, ky vendim nuk ka asnjë justifikim ekonomik apo teknik.

“Kjo rritje nuk vjen nga prodhuesit, as nga tregjet ndërkombëtare dhe as nga zhvlerësimi i lekut. Përkundrazi, euro dhe dollari kanë rënë. Kjo është një arsye e brendshme, që synon të mbulojë boshllëqet financiare duke i marrë paratë direkt nga qytetarët,” u shpreh Alimehmeti.

Ai argumenton se pas kësaj rritjeje fshihet përpjekja për të kompensuar kolapsin financiar të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), i cili, sipas tij, është përballur ndër vite me abuzime të shumta, përfshirë rimbursime fiktive dhe keqmenaxhim.

“Boshllëku financiar i krijuar nga abuzimet po mbulohet sot nga xhepat tanë, duke rritur fiktivisht çmimet e barnave që kanë qenë prej vitesh në treg,” tha ai, duke shtuar se kjo rritje nuk shoqërohet me asnjë garanci për cilësinë e medikamenteve.

Alimehmeti vuri në dukje se vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Shëndetësisë, pa transparencë dhe pa negociata me kompanitë farmaceutike, ndonëse pikërisht ky është roli i institucioneve publike: të mbrojnë interesin e qytetarëve dhe jo të rëndojnë mbi ta.

Ai kujtoi se shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri janë vetëm 2.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shumë poshtë nivelit minimal prej 5% të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian. Një vit më parë, kërkesa për rritjen e këtij buxheti ishte rrëzuar nga mazhoranca.

“Po të njëjtat ilaçe që blinim dy javë më parë, sot i paguajmë shumë më shtrenjtë. Fondi i rimbursimit nuk është rritur, çmimet po. Kjo do të thotë më pak ilaçe për qytetarët dhe më shumë pagesa nga xhepi i tyre,” theksoi Alimehmeti.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë po përballen me një goditje të dyfishtë: nga njëra anë rriten çmimet e barnave, nga ana tjetër ulet aksesueshmëria në skemën e rimbursimit, duke e thelluar krizën e kostove të kujdesit shëndetësor.

“Kjo rritje vjen vetëm për një arsye: që ne të paguajmë më shumë për shëndetin tonë, për të mbuluar dështimet dhe abuzimet e sistemit,” përfundoi Alimehmeti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related