Anëtari i kryesisë së Partia Demokratike, Grigels Muçollari, deklaroi se mazhoranca është vënë nën presion nga Bashkimi Evropian për shkak të shkeljes së standardeve demokratike dhe mënyrës së trajtimit të opozitës.
I ftuar në një studio televizive, Muçollari tha se rezoluta e miratuar së fundmi për integrimin europian përmban, sipas tij, shumicën e kërkesave të opozitës dhe se kjo tregon ndryshimin e qasjes së BE-së ndaj qeverisë së Edi Rama.
“Mazhoranca e ka kaluar vijën e kuqe në raport me standardet demokratike, parlamentarizmin dhe trajtimin e opozitës”, deklaroi ai.
Muçollari u ndal edhe tek projekti Durrës Marina, të cilin e cilësoi simbol të marrëdhënies klienteliste mes qeverisë dhe investitorëve të favorizuar.
Sipas tij, investitorit Alabar i janë dhënë 80 hektarë tokë publike me vlerë miliarda euro, përjashtime fiskale dhe mbështetje shtetërore për infrastrukturën, ndërsa interesi publik është lënë mënjanë.
“Interesi publik nuk ekziston më për këtë qeveri. Është fundosur bashkë me këtë projekt”, u shpreh ai.
Demokrati kritikoi edhe cilësinë e punimeve në zonën e kantierit, duke iu referuar raportimeve për zhytje të godinave ende të papërfunduara.
Ai tha se problemi nuk është vetëm teknik, por lidhet me mënyrën sesi qeveria trajton pasuritë publike dhe ekonominë e vendit.
“Nuk është shqetësim vetëm që një pallat po fundoset. Është fundosur marrëdhënia me interesin publik”, deklaroi Muçollari.
Në vijim, ai komentoi edhe procesin e integrimit europian, duke theksuar se vonesat në raportin e progresit dhe në procesin e negociatave janë pasojë direkte e qeverisjes aktuale.
Sipas tij, shtyrja e raportit të vlerësimit për Shqipërinë lidhet me mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe respektimit të shtetit të së drejtës.
