Nesër afati i fundit për rikthimin e PD në Reformën Territoriale/ Berisha thërret mbledhje grupi në të njëjtën orë

Data

Të hënën skadon afati i fundit që mazhoranca i ka lënë Partisë Demokratike për t’u rikthyer në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, pas bojkotit disa javor të opozitës. Nëse demokratët nuk rikthehen në komision, Partia Socialiste ka paralajmëruar se do të prishë marrëveshjen e arritur në nisje të legjislaturës dhe do të marrë shumicën e anëtarëve, si dhe drejtimin e komisionit, duke i hequr opozitës të drejtën e vetos.

Sipas burimeve parlamentare, ndryshimi i përbërjes së komisionit, në rast se bojkoti i PD vijon, pritet të hidhet për votim të martën në seancën plenare.

Aktualisht, Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale përbëhet nga 17 anëtarë: 9 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga Partia e Lirisë. Sipas marrëveshjes fillestare, drejtimi i komisionit i takon PS-së, ndërsa posti i zëvendëskryetarit PD-së.

Megjithatë, gjasat janë që demokratët të mos paraqiten as në mbledhjen e së hënës. Vetë kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar më herët se bojkoti do të vijojë, duke akuzuar mazhorancën se po pengon drejtësinë në çështjen që lidhet me ministren Belinda Balluku.

Në të njëjtën orë me mbledhjen e Komisionit të Reformës Territoriale, grupi parlamentar i Partisë Demokratike është thirrur në një mbledhje në selinë blu, ku pritet të diskutohet qëndrimi që opozita do të mbajë në seancën plenare të së martës.

Nëse PD nuk rikthehet në komision, opozita rrezikon të përsërisë skenarin e vitit 2014, kur bojkotoi Reformën Territoriale dhe i la mazhorancës dorë të lirë për ndryshimin e kufijve administrativë vendorë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related