Gurë e baltë aty ku Balluku pozonte për “suksese”/ Kur bllokohet drejtësia, bllokohen edhe rrugët

Data

Aty ku sot, për orë të tëra, qindra qytetarë – fëmijë, të moshuar, të sëmurë – u lanë të izoluar mes gurëve dhe baltës në aksin Librazhd–Prrenjas, dikur ishte skena e preferuar e propagandës. Pikërisht aty ku Belinda Balluku pozonte me helmetë, buzëqeshje dhe regji të gatshme për “rrugët më të sigurta në histori”.

Sot, ajo mungon.

Sot, kur mali zbret mbi asfalt, kur ambulancat ndalen, kur njerëzit kalohen me barrelë nëpër lumë, Belinda nuk shfaqet. Asnjë deklaratë. Asnjë përgjegjësi. Asnjë “story”.

Gurë e baltë kanë zëvendësuar sloganet. Realiteti ka rrëzuar propagandën.

Kilometri i rrugës ka shkuar deri në 20 milionë euro. Jo për siguri. Jo për cilësi. Por sepse një pjesë e mirë e atij kilometri “zhduket” rrugës. Prandaj rrugët shemben, prandaj rrugët vrasin, prandaj rrugët bllokojnë jetë.

Kryeministri del çdo mëngjes me podcast, flet për veten, për portretin e tij, për gjithçka përveç përgjegjësisë. Flet pa fund, por hesht për pasojat. Hesht për qytetarët. Hesht për dështimin.

Pas shumë akseve të shembura në të gjithë vendin, sot edhe Librazhd–Prrenjas është një provë tjetër se korrupsioni nuk është thjesht vjedhje – është rrezik për jetën.

Ky aks kërkon hetim. Ky skandal kërkon përgjegjësi. Por drejtësia mbahet e bllokuar, sepse pushteti mbron pushtetin. Sepse Edi Rama mbron Ballukun dhe nuk lejon që hetimet të shkojnë deri në fund.

Kur bllokohet drejtësia, bllokohen rrugët. Kur nuk ndëshkohet korrupsioni, ndëshkohen qytetarët.

Ajo që ndodhi sot nuk është “aksident”. Është pasojë. Dhe është edhe një arsye më shumë që zemërimi qytetar të shpërthejë.

Më 10 shkurt, sheshi duhet të flasë. Sepse pushteti u takon qytetarëve, jo atyre që vjedhin, shembin dhe pastaj fshihen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related