Që prej orës 11:00 të paradites, aksi kombëtar Librazhd–Prrenjas vijon të jetë i bllokuar plotësisht, duke lënë dhjetëra automjete të izoluara në trafik për orë të tëra. Mes udhëtarëve ndodhen fëmijë të vegjël, të moshuar dhe persona të sëmurë, të cilët po përballen me kushte të vështira për shkak të temperaturave të ulëta dhe mungesës së informacionit.
Qytetarët shprehen të revoltuar dhe të shqetësuar, pasi askush nuk u ka dhënë një shpjegim të qartë për situatën apo një afat se kur rruga mund të hapet.
“Kemi mbi një orë e gjysmë që presim. Nuk ishim këtu kur ndodhi, sepse ishim rreth 500 metra më tutje. Na thanë që ka rënë mali. Vijmë nga Tirana dhe shkojmë në Maqedoni. Askush nuk na ka sqaruar asgjë. Vetëm shohim që vijnë e ikin fadromat. Duam të pastrohet rruga dhe të shkojmë në familjet tona, sepse janë shumë të shqetësuar,” deklaron një qytetare.
Një i moshuar, i cili ka mbetur i bllokuar prej disa orësh në automjet, shprehet se situata është e papërballueshme për njerëzit me probleme shëndetësore.
“Kemi 5 orë që presim. Jemi të sëmurë. Askush nuk na ka dhënë asnjë informacion. Vetëm rrimë në makinë, sepse jashtë është shumë ftohtë,” thotë ai.
Edhe familjet me fëmijë të vegjël ndodhen në kushte të vështira, pa mundësi për t’u kthyer apo për të vijuar udhëtimin.
“Ishim në Elbasan dhe tani kemi 4 orë që presim. Jemi me fëmijë të vegjël, me dy kalamajtë. Ç’të bëjmë? Po shpresojmë vetëm të hapet rruga,” shprehet një tjetër qytetar.
Situata ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e emergjencave dhe mungesën e komunikimit me qytetarët, ndërsa çdo minutë e kaluar në pritje e rëndon më tej gjendjen humanitare në këtë aks jetik kombëtar.
