“Lista e re e barnave rrezikon sigurinë e qytetarëve”, Shehu: Shtohet prania e medikamenteve të pasigurta

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka kritikuar ashpër listën e re të çmimeve të barnave, duke paralajmëruar se ndryshimet e fundit mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe të hapin rrugën për futjen në treg të medikamenteve me origjinë të pasigurt.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shehu shprehet se lista e re nuk ka në fokus interesin e pacientëve, por synon të mbulojë kolapsin financiar të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Sipas tij, ulja e çmimeve për barnat patente dhe ato të prodhuesve të certifikuar është bërë pa negociata, pa transparencë dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.

Deputeti thekson se këto politika po çojnë në largimin nga tregu të barnave të sigurta dhe të certifikuara nga autoritetet më të larta rregullatore ndërkombëtare, si ato që përdoren gjerësisht në vendet e Bashkimit Evropian. Në vend të tyre, sipas Shehut, po favorizohen produkte alternative me cilësi të dyshimtë dhe origjinë të pasigurt.

“Ky është një rrezik i drejtpërdrejtë për shëndetin publik. Kur largohen barnat e sigurta dhe të kontrolluara, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj medikamenteve që nuk ofrojnë të njëjtën garanci sigurie dhe efikasiteti,” shprehet ai.

Shehu kërkon rishikimin urgjent të listës së barnave dhe hapjen e një procesi transparent, me përfshirjen e profesionistëve të shëndetësisë dhe respektimin e standardeve europiane, duke theksuar se shëndeti i qytetarëve nuk mund të përdoret si mjet për të mbuluar probleme financiare të sistemit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related