Kryeministri Edi Rama ka anuluar në momentin e fundit vizitën e planifikuar në qytetin e Vlorës, në një kohë kur situata sociale në qytet është përshkallëzuar ndjeshëm. Pakënaqësia e qytetarëve ka ardhur si pasojë e krizës së ujit, zhvendosjes së tregut dhe largimit të kadastrës nga Vlora, çka ka nxitur protesta dhe tensione të forta.
Banorët e Vlorës kanë shprehur hapur revoltën e tyre, duke pushtuar edhe ambientet e Bashkisë, ndërsa situata është cilësuar si tepër e ndezur. Megjithëse më herët ishte paralajmëruar një vizitë e kryeministrit në qytet dhe zona ishte blinduar me forca sigurie, Rama e anuloi udhëtimin në minutën e fundit dhe urdhëroi tërheqjen e trupave të policisë dhe gardës.
Anulimi i vizitës shihet si shenjë e qartë paniku dhe frike nga përballja direkte me qytetarët e pakënaqur. Në vend të pranisë së tij fizike në Vlorë, Rama u mjaftua me një postim në rrjetet sociale lidhur me një aktivitet tjetër politik.
Në mungesë të kryeministrit, në Vlorë u dërgua Elisa Spiropali, e cila u përpoq të ulte tensionet me tregtarët, por u përball me reagime të ashpra. Tregtarët refuzuan zhvendosjen e tregut, duke deklaruar se zona e re nuk ofron asnjë kusht për ushtrimin e aktivitetit të tyre dhe se vendimi është marrë pa asnjë konsultim.
Spiropali u përzë nga tregtarët e revoltuar, të cilët e akuzuan qeverinë për shpërfillje dhe mashtrim. Një qytetare i është drejtuar ashpër, duke e akuzuar qeverinë se ka shkatërruar Vlorën dhe duke i kërkuar llogari për situatën e krijuar.
Anulimi i vizitës së Edi Ramës dhe dërgimi i përfaqësuesve në vend të tij shihet si tregues i frikës nga protesta dhe i një qeverie që shmang përballjen me qytetarët në momentet e krizës.
