Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit të PD-së, Edi Paloka, i cili e akuzoi se po bën lojën e kryeministrit Edi Rama dhe se “iu rrit mendja” pasi PD i ofroi bashkim politik.
Në një reagim publik, Shehaj thekson se ka kontribuar për vite me radhë në Partinë Demokratike pa kushte dhe pa interesa personale, duke shtuar se ndryshimi brenda PD-së u pengua qëllimisht, deri në manipulim votash.
“Kam punuar dhe luftuar për Partinë Demokratike pa kushte. Kur të gjithë heshtnin, kandidova për kryetar të PD-së përballë Lulzim Bashës për ta drejtuar partinë në mënyrë perëndimore. Arritën deri aty sa manipuluan votat e demokratëve për të ndaluar ndryshimin”, shprehet Shehaj.
Ai nënvizon se Partia Mundësia dhe mbështetësit e saj nuk i përkrahin më figurat që, sipas tij, kanë mbajtur peng opozitën dhe kanë humbur besimin e qytetarëve.
“Unë, Partia Mundësia dhe votuesit tanë nuk i mbështesim më këto figura. Le të vazhdojnë sharjet, shpifjet dhe manipulimet. Nuk ka kthim pas. Duhet të shohim nga e ardhmja”, përfundon Shehaj.
