Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar ashpër pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të mos marrë në shqyrtim raportin e Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka.
Në një deklaratë për mediat, deputetët demokratë e cilësojnë vendimin e KLGJ-së si antikushtetues dhe në kundërshtim të hapur me ligjet organike që rregullojnë funksionimin e pushtetit gjyqësor. Sipas PD-së, ky vendim përbën një precedent të rrezikshëm dhe sjell pasoja të parikuperueshme për reformën në drejtësi dhe besimin e publikut te sistemi gjyqësor.
“Refuzimi i KLGJ-së për të shqyrtuar relacionin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe kalimi i çështjes për kompetencë te Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një përpjekje e qartë për zvarritje. Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedentë ngre pikëpyetje serioze mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e organit që qeveris pushtetin gjyqësor”, thuhet në reagimin e grupit parlamentar të PD-së.
Demokratët kërkojnë që KLGJ ta rishqyrtojë çështjen dhe që ajo të rikthehet menjëherë në axhendë për vendimmarrje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Sipas tyre, mbajtja në detyrë e një gjyqtareje të dënuar penal përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimeve të shtetit të së drejtës dhe të vetë reformës në drejtësi.
Po ashtu, Grupi Parlamentar i PD i bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë pa vonesë nga KLGJ deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren Irena Gjoka.
“Çdo veprim apo mosveprim i KLGJ-së dhe ILD-së që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin cënon rëndë pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe besimin e publikut te drejtësia”, thekson PD.
Kujtojmë se një ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me 6 vota kundër, rrëzoi relacionin e Prokurorisë së Përgjithshme që propozonte shkarkimin e Irena Gjokës, pas vërtetimit të një dënimi penal në Greqi në vitin 2005.
