Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi dje votën e deputetëve socialistë për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes, Olta Xhaçka. Berisha u shpreh se mazhoranca, nëpërmjet komisionit Xhafa, kreu një grusht të vërtetë shteti, ndërsa thekson se me këtë vendim është asgjësuar Kushtetuta. “Olta Xhaçka një familjare, ish-familjare pothuajse e klanit Rama, ministre dhe sot akoma deputete, pasi shpalli me Edi Ramën dhe lidhjet që ka me familjen Rama, Artan Gaçin, burrin aktual të Olta Xhaçkës investitor strategjik ju dhanë 10 mijë metër katrorë tokë në Himarë, tokë publike, një përvetësim i tmerrshëm i cili u realizua në shkelje të çdo ligji.
Neni 70 në pikën 4 përcakton: se për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë e mandatit të deputetit me personin e dhënë. Por mbrëmë Edi Rama me komisionin Xhafa urdhëroi parlamentin të bllokojë dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, defakto asgjësoi Gjykatën Kushtetuese, pa të cilën kushtetuta shndërrohet në një letër pa vlerë. Me këtë akt, Edi Rama dëshmoi se në duart e tij janë sot të përqendruara të gjitha pushtetet, se ai nuk kontrollon më vetëm Skapin, Gjykatën e Lartë, të Apelit, të Faktit, por ai tashmë dhe në një rast tepër të rrallë kur nuk arrin pas presionesh monstruoze që bën mbi gjykatësit të ketë të sigurtë vendimin që do, krijoi komisionin Xhafaj për ti shumëzuar me zero edhe Gjykatën Kushtetuese. Pseudomazhoranca apo mazhoranca e drogës dhe krimit, në këtë akt puçist, për të mbuluar puçin antikushtetues, marrjen e pushtetit të Gjykatës Kushtetuese, u justifikua se do ta dërgojnë në Komisionin e Venecias.
Thirrja ime për Komisionin e respektuar të Venecias, të hedhë poshtë me përçmim këtë përpjekje kurth për të justifikuar puçin konstitucional që Edi Rama dhe komisioni Xhafaj realizuan mbrëmë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Së fundi, theksoj se pavarësisht nga kompleksiteti i njohur i marrëdhënieve të Olta Xhaçkës me familjen Rama, garantoj shqiptarët se prapa këtij qëndrimi të Edi Ramës, janë strikt interesat familjare pronësore të tij, se ai po të mos ishin ato interesa, po të mos ishte pjesëtar dhe aksionar në ato 10 mijë metër katrorë tokë, jo 1 por 5 Olta do të ishte i gatshëm ti hidhte mënjanë”, tha ai ndër të tjera.
