Zhvlerësimi i euros po kthehet në një nga goditjet më të forta për ekonominë shqiptare dhe mirëqenien e qytetarëve. Alarmin e ka ngritur deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila paralajmëron se rënia e monedhës europiane po varfëron shqiptarët dhe po shkatërron prodhimin vendas.
Në një reagim publik, Tabaku thekson se euro ka prekur minimumet historike të kursit të këmbimit, ndërsa në vitet e fundit vlera e saj ka rënë me rreth 40%. Sipas saj, ky zhvlerësim nuk është thjesht një tregues financiar, por një goditje direkte për ekonominë reale dhe xhepin e qytetarëve.
Deputetja demokrate nënvizon se sektori fason dhe bujqësia janë më të prekurit, pasi humbasin konkurrueshmërinë në tregjet e huaja. Si pasojë, mijëra vende pune rrezikohen, ndërsa të ardhurat e fermerëve dhe bizneseve eksportuese po bien ndjeshëm.
Tabaku akuzon qeverinë se nuk ka asnjë strategji për të përballuar situatën, ndërsa e lidh zhvlerësimin e euros me kriminalizimin e ekonomisë dhe qarkullimin e parave të pista, të cilat po deformojnë tregun dhe po dëmtojnë prodhimin vendas.
Sipas saj, pasojat janë të dukshme në rritjen e varfërisë, rënien e eksporteve dhe dobësimin e ekonomisë kombëtare, duke paralajmëruar se pa ndërhyrje serioze situata do të përkeqësohet edhe më tej.
Tabaku thekson se rënia e euros është një alarm i madh për ekonominë shqiptare dhe kërkon reagim urgjent për të mbrojtur prodhimin vendas, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve.
