Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka njoftuar shpalljen e një amnistie të përgjithshme për të burgosurit politikë dhe mbylljen e qendrës së njohur të paraburgimit El Helicoide në Karakas, në një zhvillim kyç politik vetëm pak kohë pasi ish-lideri Nicolas Maduro u arrestua në një operacion amerikan jashtë vendit.
Rodríguez, në një deklaratë para Gjykatës Supreme të Venezuelës, tha se qeveria do t’i paraqesë parlamentit një projekt-ligj amnistie që mbulon periudhën e dhunës politike që nga viti 1999 e deri sot, me synimin e “shërimit të plagëve” dhe përmirësimit të bashkëjetesës kombëtare. Projekte të tilla synojnë lirimin e një numri të madh të paraburgosurve politikë, përfshirë aktivistë, gazetarë dhe figura opozitare.
El Helicoide, një nga qendrat më famëkeqe të paraburgimit në Venezuelë dhe vend i denoncuar për torturë dhe abuzime ndaj të burgosurve politikë, do të mbyllet dhe do të shndërrohet në një qendër sociale, kulturore dhe sportive. Kjo është një nga masat më të rëndësishme të ndërmarra nga administrata e Rodríguezit për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për të riformuar imazhin e vendit në skenën ndërkombëtare.
Autoritetet pretendojnë se më shumë se 600 persona janë liruar deri tani, por organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë shifra më të ulëta dhe kërkojnë që amnistia të mos shndërrohet në një impunitet të pakufizuar, duke përjashtuar ata që kanë kryer krime shumë të rënda.
Ky hap vjen në një kohë dramatike për Venezuelën, pasi arrestimi dhe ekstradimi i Nicolás Maduros në Shtetet e Bashkuara për akuza të lidhura me narkotikët e ka tronditur skenën politike të vendit dhe ka hapur një periudhë të re në politikën e brendshme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
