Bledar Doçi, vëllai i Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”, është arrestuar në Turqi, ndërsa ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi është kryer për llogari të drejtësisë italiane, e cila e dyshon atë për përfshirje në organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.
Autoritetet policore turke kanë kërkuar informacion nga Shqipëria për të verifikuar identitetin e personit të arrestuar dhe lidhjen e tij me dosjen e drejtësisë italiane. Emri i Bledar Doçit rezulton në hetimet e përbashkëta italo-shqiptare të zhvilluara në nëntor 2025, në kuadër të goditjes së grupit kriminal të drejtuar nga “Visi i Pojës”.
Sipas dosjes hetimore, gjykata e Breshias ka lëshuar 24 masa sigurie ndaj anëtarëve të grupit, i cili akuzohet për trafikun e rreth 1.3 tonëve kokainë gjatë periudhës 2020–2025. Grupi dyshohet se kishte bazë operative në Shqipëri dhe degëzime në Itali, duke trafikuar drogë nga Amerika e Jugut drejt porteve të mëdha të Europës.
Ndërkohë, “Visi i Pojës” vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Ura”. Sipas hetimeve, ai konsiderohet një nga organizatorët kryesorë të trafikut ndërkombëtar të drogës, me rol financiar dhe drejtues në rrjetin kriminal. Dosja hetimore përshkruan një strukturë të mirëorganizuar, me role të ndara për financim, transport droge, shpërndarje dhe transferim parash.
Sipas të dhënave, anëtarët e grupit kanë përdorur edhe linja autobusësh ndërkombëtarë për transferimin e parave, ku në dhjetëra episode janë transportuar rreth 3 milionë euro cash nga Italia drejt Shqipërisë.
Operacioni “Ura” konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut të drogës me bazë shqiptare, ndërsa arrestimi në Turqi shihet si një hap i rëndësishëm në zbërthimin e plotë të rrjetit kriminal.
