Një skemë mashtrimi online me oferta të rreme për kredi po shënjestron qytetarët, duke synuar marrjen e parave dhe të dhënave personale bankare. Autoritetet bëjnë me dije se persona të panjohur po përdorin faqe të dyshimta në internet, rrjete sociale dhe mesazhe elektronike për t’u paraqitur si përfaqësues të institucioneve financiare.
Qytetarët joshën me premtime për kredi të shpejta, pa garanci dhe me procedura të thjeshtuara, por në momentin që dërgojnë të dhënat personale ose bankare, rrezikojnë humbjen e parave dhe keqpërdorimin e informacionit të tyre.
Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos ndajnë asnjëherë të dhëna bankare, dokumente personale apo para me persona të paidentifikuar ose faqe interneti të pasigurta. Para se të aplikojnë për kredi, këshillohet që të verifikohet gjithmonë informacioni dhe të komunikohet vetëm përmes kontakteve zyrtare të bankave ose institucioneve financiare.
Gjithashtu, qytetarët këshillohen që në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në banka, të përdorin vetëm numrat e kontaktit dhe adresat zyrtare të publikuara nga institucionet përkatëse, duke shmangur çdo komunikim të dyshimtë në rrjete sociale apo mesazhe private.
Çdo rast i dyshuar për mashtrim duhet të denoncohet menjëherë, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale. Autoritetet theksojnë se lufta kundër krimit kibernetik mbetet prioritet dhe kërkojnë bashkëpunim të vazhdueshëm nga qytetarët për të shmangur rënien në këto skema mashtruese.
