Media britanike rreshtohet me Trump: “Tani është momenti për përballje ushtarake me Iranin”

Data

Një koment i botuar në median britanike Telegraph mbështet hapur qëndrimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke argumentuar se momenti aktual është i favorshëm për një përballje ushtarake me Iranin.

Sipas autorit Con Coughlin, deklarata e Trump në mesin e janarit se “vrasjet kanë ndaluar” në Iran ka rezultuar e pavërtetë. Përkundrazi, raportimet flasin për një shtypje masive të protestave antiqeveritare, ku disa burime përmendin mbi 20 mijë viktima. Komenti thekson se këto deklarata u bënë pikërisht në kulmin e protestave, në një periudhë kur ekzistonte frika për ekzekutime masive të protestuesve të cilësuar nga regjimi si “armiq të Zotit”.

Sipas Telegraph, Trump kishte zgjedhur fillimisht të shmangte një përballje ushtarake, pas sinjaleve nga zyrtarë iranianë se dhuna do të ndalej. Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Regjimi iranian, thuhet në analizë, shfrytëzoi ndërprerjen e internetit për të ndërmarrë shtypjen më brutale të protestave që nga viti 2009.

Si pasojë, qëndrimi i Uashingtonit ka ndryshuar ndjeshëm. SHBA po grumbullon një prani të madhe ushtarake në Gjirin Persik, të cilën Trump e ka quajtur një “armadë të bukur”, duke deklaruar se “kemi arritur në një moment vendimtar dhe flota jonë është gati”.

Media britanike thekson se ky është përqendrimi më i madh i forcave amerikane që nga sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershorin e kaluar. Po ashtu, mbrojtja ajrore e Iranit konsiderohet e dobësuar ndjeshëm pas goditjeve izraelite dhe amerikane.

Autori i shkrimit spekulon se Trump mund të ndjekë një strategji presioni dhe pasigurie për të nxitur ndryshimin e regjimit në Teheran. Sipas Telegraph, Republika Islamike ndodhet në pikën e saj më të dobët që nga viti 1979, e përçarë nga brenda dhe e urryer nga një pjesë e madhe e popullsisë, çka e bën këtë moment “jashtëzakonisht të favorshëm” për rrëzimin e regjimit të ajatollahëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related