Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se ekzistojnë orë të tëra filmimesh, dokumentesh dhe fotografish që, sipas tij, zbulojnë mënyrën se si funksionon realisht shteti nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në një studio televizive, Këlliçi u shpreh se materialet tregojnë se persona të ndryshëm shkonin drejtpërdrejt në zyra të lidhura me kryeministrin për të marrë leje zhvillimi, projekte në jug të vendit, leje ndërtimi për kulla dhe tendera publikë.
Sipas tij, këto prova janë regjistruar nga Ergys Agasi, i cili, ndonëse nuk kishte një funksion zyrtar, vepronte me miratimin e kryeministrit. Këlliçi theksoi se askush nuk merrte vendime përfundimtare pa “OK”-në e Edi Ramës.
“Të gjithë shkonin për të mbaruar punë me Edi Ramën. Leje zhvillimi, projekte, kulla, tendera – vendimi final ishte gjithmonë i tij”, deklaroi Këlliçi, duke shtuar se kjo situatë, sipas tij, ngjan me rastet e tjera të aferave të mëdha që kanë tronditur politikën shqiptare.
Deputeti demokrat theksoi se kjo histori nuk do të mbyllet shpejt dhe se, sipas tij, përpjekjet për ta zvarritur përmes artificave juridike nuk do të japin rezultat, pasi provat janë të shumta dhe domethënëse.
