Debate të forta politike kanë përfshirë Konferencën e Kryetarëve, ku opozita ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të Rregullores dhe zvarritje të qëllimshme të procedurës lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë denoncuar shtyrjen pa afat të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke e cilësuar si mbrojtje politike për Ballukun. Sipas tyre, vendimi i Peleshit është i paligjshëm dhe nuk ka bazë rregulloreje, pasi Kuvendi nuk ka detyrim të presë një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese për një çështje të ndryshme nga autorizimi i arrestit.
Jorida Tabaku e cilësoi situatën “njollë të zezë për Kuvendin”, duke kërkuar mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Imuniteteve për t’i hapur rrugë drejtësisë. Gazment Bardhi akuzoi Peleshin për “shkelje flagrante”, duke pretenduar se anulimi i mbledhjes u bë me argumente të pavërteta dhe jashtë çdo baze ligjore.
Nga ana tjetër, Peleshi ka mbrojtur vendimin e tij, duke deklaruar se po vepron në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe Rregulloren, si dhe se Kuvendi është ende brenda afatit tre mujor për shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Ai ka theksuar se ka marrë parasysh kërkesat e anëtarëve të mazhorancës për të pritur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
SPAK kërkon autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Belinda Ballukut, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera me vlera qindra milionë euro, duke argumentuar se qëndrimi i saj në detyrë rrezikon hetimin.
