Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj 31-vjeçarit Ilirjan Selmani, i akuzuar për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teço dhe më pas djegien e banesës së saj në Pogradec. Dosja përmbledh dëshmi, ekspertime dhe rindërtimin e ngjarjeve para dhe pas krimit.
Sipas materialeve hetimore, mes autorit të dyshuar dhe viktimës kishte ekzistuar një marrëdhënie e gjatë shoqërore, për të cilën Selmani ka dhënë versione të ndryshme gjatë marrjes në pyetje. Ai ka pranuar se kishte frekuentuar banesën e saj dhe se ishte kthyer disa herë në zonë ditët përpara arrestimit, ndërsa ka mohuar marrëdhënie intime.
Në dosje përfshihen edhe deklarime të fqinjëve, ku evidentohet gjendja e tensionuar e autorit pas ngjarjes, si dhe shqetësimi i tij për sigurinë personale. Prokuroria ka administruar prova teknike dhe dëshmi filmike që ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të tij.
Ekspertimet mjeko-ligjore kanë konkluduar se viktima ka humbur jetën pas një agresioni të zgjatur, ndërsa pas krimit banesës i është vënë zjarr në disa vatra, me qëllim zhdukjen e gjurmëve. Hetimet tregojnë përdorimin e disa mjeteve prerëse gjatë ngjarjes.
Çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë, ku do të vlerësohen provat dhe dëshmitë e administruara nga organi i akuzës.
