Partia Lëvizja e Legalitetit, me kryetar Shpëtim Axhami, ka reaguar pas një video që është bërë publike ditën e sotme mes Elia Zaharias, babait të saj Gjergj Zaharia dhe Princ Lekës, ku ky i fundit pretendon se është dhunuar nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij.
PLL për rastin në fjalë, shprehet se çdo sulm, drejtuar kundër Princit Leka II, për çfarëdolloj motivi e në çfarëdolloj rrethane, dënohet fuqimisht e me vendosmëri.
“Partia Lëvizja e Legalitetit dënon çdo sjellje të ulët në drejtim të Princ Leka II
Çdo fjalë e padenjë, çdo sjellje e padenjë, çdo fyerje e çdo sulm, drejtuar kundër Princit Leka II, për çfarëdolloj motivi e në çfarëdolloj rrethane, dënohet prej nesh, fuqimisht e me vendosmëri.
Princ Leka II nuk është thjesht individ por për një numër të madh të shqiptarëve, ai është mbartës i disa vlerave, i historisë, i identitetit i vetëdijes e i ndjeshmërive; mbartës i vlerave të mbrojtjes së kombit dhe të ndërtimit të shtetit.”
Ka qenë vetë Princ Leka, i cili ka zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes së rëndë, ku sipas dëshmisë së tij para autoriteteve ligjzbatuese ka treguar se ai është cënuar e dhunuar në prani të vajzës së tij 3-vjeçare.
“Legaliteti” e mbyll reagimin me një thirrje drejtuar organeve shtetërore, që të ndjekin me vendosmëri dhe me prioritet zbatimin e ligjit.
“Prandaj kërkojmë nga organet shtetërore të ndjekin me vendosmëri dhe me prioritet zbatimin e ligjit, si mesazh për paprekshmërinë e vlereve të lartpërmendura.”, përfundon reagimin Partia Lëvizja e Legalitetit.
