“Na njoftuan me email”, Korreshi shpërthen: Këshilli i Mandateve u shty pa sens, Balluku po intimidon dëshmitarët

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar ashpër ndaj anulimit të mbledhjes së paralajmëruar të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

I ftuar në një emision televiziv, Korreshi tha se deputetët janë njoftuar për anulimin vetëm përmes emailit dhe telefonit, ndërkohë që vendimi, sipas tij, ishte marrë që një ditë më parë, rreth orës 19:00.

“Ne kemi qenë në Parlament deri në orët e para të mëngjesit. Sot në mëngjes na njoftojnë me telefon dhe email se mbledhja është anuluar. Kjo është skandaloze, nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës”, deklaroi Korreshi.

Deputeti demokrat theksoi se nuk ekziston asnjë lidhje juridike mes Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Mandateve, duke e cilësuar shtyrjen si një justifikim të pabazë për zvarritjen e procesit.

“Nuk ka asnjë logjikë. Gjykata Kushtetuese nuk ka lidhje me Këshillin e Mandateve. Kjo është një farsë”, u shpreh ai.

Korreshi kujtoi se gjatë qeverisjes së PD-së është vendosur heqja e imunitetit të pjesshëm dhe se më herët as hetimi nuk mund të niste pa u hequr imuniteti i një deputeti. Sipas tij, me rastin e Ballukut është krijuar një precedent i rrezikshëm, pasi janë vendosur masa sigurie pa u shqyrtuar imuniteti në Kuvend.

Ai shtoi se ndërkohë që procesi po zvarritet, ekziston rreziku që Balluku të ndërhyjë në hetim.

“Ndërkohë që Këshilli nuk mblidhet, Balluku qëndron në detyrë dhe ka mundësi reale të intimidojë dëshmitarë dhe të prishë prova”, paralajmëroi Korreshi.

Sipas tij, mënyra se si u anulua mbledhja dhe mungesa e transparencës për vendimmarrjen tregojnë një vullnet politik për të mbrojtur zv/kryeministren dhe për të penguar drejtësinë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related