Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ishte mbrëmjen e sotme i ftuar në një studio televizive, ku komentoi zhvillimet politike lidhur me mandatin e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe shtyrjen e radhës së mbledhjes së Këshillit të Mandateve në Kuvend.
Gjatë emisionit, moderatorët i rezervuan Korreshit një “surprizë” simbolike, duke i vendosur përpara një shportë me perime. Deputeti demokrat i shfrytëzoi ato për të bërë krahasime ironike me anëtarët e kabinetit qeveritar, në një mënyrë satirike që ngjalli reagime në studio.
“Speci i kuq është Ministria e Brendshme, djegës, siç e shikojmë edhe nga zhvillimet e fundit”, tha Korreshi.
Ai vijoi me kryeministrin:
“Patëllxhani është Rama”, u shpreh deputeti, duke shtuar se “i shkon më shumë forma sesa përmbajtja”.
Korreshi nuk la pa përmendur as kryetarin e Kuvendit, për të cilin ironizoi:
“Kjo është ‘Niko me lesh’”, tha ai, duke e shoqëruar me komente për zvarritjen e vendimmarrjeve parlamentare.
Për ministren e Shëndetësisë, Korreshi përdori metaforën e qitros:
“E mbaron fjalimin dhe kthehet mbrapsht aty ku e nisi”.
Ndërsa ministrin e Turizmit e krahasoi me limonin:
“Të tharton. Hiqen sikur po bëjnë namin, por realiteti është tjetër”.
Për ministrin e Mjedisit, Korreshi përdori kungullin:
“I plotëson të gjithë, po firmat s’i ka dhënë akoma”.
Ministrin e Inovacionit e përshkroi si spec jeshil:
“I vogël, si pipirickë”.
Krahasimi më i fortë u rezervua për Belinda Ballukun:
“Panxhar sheqeri është Belinda. Lekët i bën sheqer, mjaltë. Nuk duket e ëmbël nga jashtë, por ka shumë sheqer brenda”, tha Korreshi.
Ai përmendi edhe ministrin e administratës vendore, duke e krahasuar me brokolin, ndërsa për Elisa Spiropalin përdori hudhrën:
“Hidhet si antibiotik”.
Deklaratat e Korreshit u shoqëruan me të qeshura në studio, por edhe me kritika, ndërsa deputeti demokrat tha se ironia është pasqyrë e realitetit politik dhe mënyrë për të denoncuar atë që ai e quan keqqeverisje dhe zvarritje të drejtësisë.
