Mesazh i fortë nga SHBA: Vetëm deputetë “të pastër” në tryezën e ambasadës

Data

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dërguar një sinjal të qartë dhe të fortë ndaj klasës politike shqiptare, duke vendosur standarde të rrepta në marrëdhëniet me deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Ndryshe nga proceset zgjedhore të mëparshme, këtë herë SHBA nuk u përfshi në hartimin e listave të kandidatëve, duke ua lënë këtë përgjegjësi partive politike. Megjithatë, në fazën e bashkëpunimit institucional, ambasada duket se ka aplikuar një filtër të qartë, duke përzgjedhur vetëm figura që nuk janë të përfshira në polemika apo akuza publike.

Ditën e sotme, e Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn, zhvilloi një takim me rreth 10–12 deputetë që janë ulur për herë të parë në Kuvend, nga radhët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Mes deputetëve të pranishëm ishin Ivi Kaso, Besart Xhaferi, Bledi Himçi, Marjana Koçeku, Alma Selmani dhe Erjona Ismaili.

Sipas njoftimit zyrtar, deputetët e përzgjedhur do të jenë pjesë e Programit Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës, përmes të cilit do të vizitojnë disa qytete në SHBA, me fokus forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si transparenca ekonomike, lidhjet tregtare dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.

Ajo që bie dukshëm në sy është lista e deputetëve që nuk u përfshinë në këtë takim. Nga radhët e Partisë Socialiste mungojnë emra të përfolur publikisht për akuza apo polemika, ndërsa nga Partia Demokratike janë lënë jashtë figura të njohura për probleme të mëparshme me drejtësinë apo përplasje me institucionet amerikane.

Sipas vëzhguesve politikë, kjo përzgjedhje përbën një mesazh të drejtpërdrejtë nga SHBA: bashkëpunimi institucional do të zhvillohet vetëm me deputetë që konsiderohen të pastër dhe të besueshëm. Qasja e ambasadës shihet si një sinjal i qartë për standardet që kërkohen nga politika shqiptare në raport me partnerin strategjik amerikan.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related