Kadare përjetësohet në bronz, statuja përurohet në ditën kur shkrimtari i madh do të mbushte 90 vjeç

Data

Ismail Kadare, gjeniu i letrave shqipe dhe figura më e njohur e letërsisë shqiptare në botë, është përjetësuar përmes një statuje bronzi, e cila u përurua në ditën simbolike kur shkrimtari i madh do të mbushte 90 vjeç.

Statuja është vendosur në hapësirën ku Kadare kalonte çdo ditë për kafenë e tij të zakonshme, një vend që për të ishte më shumë sesa rutinë – ishte pikëtakim me miq, lexues dhe admirues. Ky vend tashmë shndërrohet në një pikë kujtese dhe reflektimi për trashëgiminë që ai la pas.

Botuesi Bujar Hudhri, mik i afërt i shkrimtarit, u shpreh i emocionuar gjatë ceremonisë:

“E shoh këtë monument si një prani. Kadare do të jetë tashmë i pranishëm në jetën tonë në përjetësi.”

Edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare, e pranishme në aktivitet, e kujtoi shkrimtarin me mall, duke u ndalur pranë veprës së bronztë, në të njëjtin ritual të përditshëm që ndante me të – kafenë.

Ideja për realizimin e statujës erdhi nga aktori Timo Flloko, ndërsa vepra u realizua nga skulptori Henri Nimami, me mbështetjen e miqve të familjes Kadare. Skulptura paraqet shkrimtarin në një formë të thjeshtë, njerëzore dhe të afërt, ashtu siç ishte në jetën e përditshme.

Në këtë përvjetor të veçantë, miq, familjarë dhe dashamirës të letërsisë shqiptare u mblodhën për të kujtuar shkrimtarin që me veprën e tij e çoi gjuhën shqipe përtej kufijve dhe e vendosi në hartën e madhe të letërsisë botërore.

Kadare nuk është më vetëm në libra. Tani ai është edhe aty, mes nesh – një prani e heshtur, por e përjetshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related