“Vendimi i Peleshit në kundërshtim me rregulloren” – Kuvendi shtyn mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Ballukun

Data

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vendosur të shtyjë pa afat mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e cila ishte planifikuar të mbahej këtë të mërkurë, për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Vendimi i Peleshit është justifikuar me argumentin se Kuvendi duhet të presë fillimisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për një masë tjetër të marrë më herët nga Gjykata e Posaçme ndaj Ballukut, ndonëse kjo çështje nuk ka lidhje ligjore me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit parlamentar.

Pas më shumë se një muaji e gjysmë zvarritje, mazhoranca socialiste kërkon sërish kohë shtesë për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, duke rrezikuar tejkalimin e afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestimin e një deputeti.

Sipas praktikave parlamentare dhe rregullores në fuqi, Kryetari i Kuvendit nuk ka kompetencë të lidhë vendimmarrjen e Këshillit të Mandateve me një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, sidomos kur bëhet fjalë për procedura të ndara dhe të pavarura nga njëra-tjetra. Vendimi për shtyrje konsiderohet nga ekspertë të ligjit si në kundërshtim me rregulloren dhe me frymën e ndarjes së pushteteve.

Në njoftimin zyrtar për shtyrjen e mbledhjes, Peleshi thekson se vendimi është marrë pas kërkesës së disa anëtarëve të Këshillit, me arsyetimin se shqyrtimi i kërkesës së SPAK duhet të bëhet pas vlerësimit paraprak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të shmangur cenimin e “sigurisë juridike”.

Kjo qasje është në të njëjtën linjë me qëndrimin publik të Kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar më herët se mazhoranca do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të marrë një vendim për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet për kërkesën e Kryeministrit, i cili ka kundërshtuar ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Ballukut, duke pretenduar konflikt kompetencash. Aktualisht, efektet e këtij pezullimi janë ngrirë dhe Balluku vijon të ushtrojë funksionet e saj.

Belinda Balluku është rasti i parë i një zyrtareje të këtij niveli që merret e pandehur nga SPAK për akuza që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro, ndërkohë që vazhdon të qëndrojë në detyrë me mbështetjen publike dhe politike të Kryeministrit.

Sipas Rregullores së Kuvendit, nëse kërkesa e SPAK nuk shqyrtohet brenda tre muajve, ajo rrezikon të rrëzohet automatikisht. Kërkesa e Prokurorisë ka mbërritur në Kuvend më 16 dhjetor, ndërsa mbledhja e parë e Këshillit u zhvillua më 19 dhjetor, pa asnjë vendim, pasi mazhoranca kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen hetimore prej rreth 16 mijë faqesh.

Megjithatë, deri më sot, asnjë anëtar socialist i Këshillit dhe as avokati mbrojtës nuk kanë tërhequr dosjen për shqyrtim, ndërsa Kryetari i Kuvendit ka refuzuar disa herë të thërrasë mbledhjen, pavarësisht kërkesave të opozitës.

Në janar, Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal ndaj Peleshit për “shpërdorim detyre”, duke e akuzuar për pengim të drejtësisë dhe bllokim të hetimeve të SPAK.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është struktura parlamentare që, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë, përgatit raportin për seancën plenare, ku rekomandohet miratimi ose rrëzimi i autorizimit për arrestim.

Sipas juristëve dhe ekspertëve të ligjit, zvarritja e kësaj procedure krijon një precedent të rrezikshëm institucional dhe bie në kundërshtim me parimet themelore të funksionimit të shtetit të së drejtës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related