Një 25-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë në zonën e Folignos, pas një ndjekjeje spektakolare që përfundoi me aksident rrugor. I riu dyshohet si pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe ishte i njohur më parë për autoritetet me precedentë penalë.
Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni rutinë kontrolli territorial, kur karabinierët i bënë shenjë ndalimi automjetit që ai drejtonte. Shoferi nuk iu bind urdhrit, duke shtuar shpejtësinë dhe duke çarë postbllokun policor. Menjëherë pas kësaj, forcat e rendit nisën ndjekjen.
Gjatë arratisjes, 25-vjeçari hodhi nga dritarja e makinës tre doza kokaine, në përpjekje për t’i shpëtuar provave. Pak minuta më vonë, ai humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas në anë të rrugës, pa pësuar dëmtime të rënda. Karabinierët e neutralizuan dhe e arrestuan në vend.
Nga kontrolli i ushtruar ndaj tij dhe automjetit, policia gjeti 1 gram hashash dhe rreth 1 mijë euro para të gatshme, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm. Gjithashtu, u sekuestruan edhe 8 gramë kokainë të hedhura gjatë ndjekjes.
25-vjeçari u mbajt në qelitë e paraburgimit në Komandën e Karabinierëve në Foligno. Në gjyqin e përshpejtuar që pasoi, Gjykata e Spoleto-s konfirmoi arrestimin dhe, pas pranimit të fajësisë, e dënoi atë me 1 vit burg.
