Pas një seance maratonë që zgjati rreth 18 orë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Kodin Penal, mes debateve të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Ndryshimet u votuan me 85 vota pro nga mazhoranca, ndërsa 9 deputetë të opozitës votuan kundër.
Një nga pikat më të diskutuara ishte parashikimi i dënimit me burg deri në një vit për parkimin dysh, masë që u kundërshtua ashpër nga opozita, e cila e cilësoi si disproporcionale dhe ndëshkuese për qytetarët. Megjithatë, mazhoranca argumentoi se masa synon disiplinimin e qarkullimit rrugor dhe rritjen e sigurisë publike.
Në paketën e ndryshimeve u miratua edhe dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, duke hequr përgjegjësinë penale për këtë kategori, si dhe ashpërsimi i dënimeve për ndërtimet pa leje dhe zjarrvënien.
Gjatë seancës u hodhën në votim edhe një sërë projektligjesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare, të cilat u miratuan kryesisht me votat e mazhorancës. Amendamenti i propozuar nga deputeti Erion Braçe u rrëzua, ndërsa nisma alternative e opozitës për ndryshime në Kodin Penal nuk mori mbështetje.
Mazhoranca e cilësoi miratimin e ndryshimeve si të domosdoshëm për forcimin e rendit dhe sigurisë, ndërsa opozita paralajmëroi se do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar ligjin të padrejtë dhe antikushtetues.
