“Cënim i demokracisë” – 76 kryebashkiakë të rrjetit B40 letër në mbështetje të İmamoğlu dhe Veliajt

Data

Kryetarët e 76 bashkive anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 kanë reaguar me një letër të përbashkët, ku shprehin shqetësim të thellë për paraburgimin pa afat të kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në deklaratën e tyre, kryebashkiakët e cilësojnë këtë praktikë si një “trend të rrezikshëm” që kërcënon demokracinë vendore në Ballkan dhe më gjerë. Sipas tyre, largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur pa një vendim përfundimtar gjyqësor minon drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve dhe cenon parimet themelore të qeverisjes demokratike.

“Thirrja jonë e qartë është që t’i jepet fund paraburgimit pa afat të Kryetarit Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit Erion Veliaj, dhe t’u lejohet të presin në liri procedurat ligjore, duke ushtruar njëkohësisht detyrat që u janë besuar nga qytetarët”, thuhet në letër.

Nënshkruesit i referohen Raportit të Komisionit të Venecias të tetorit 2025, si dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se ndalimi duhet të jetë masë e fundit dhe jo mjet për pengimin e ushtrimit të mandatit politik. Ata paralajmërojnë se paraburgimi pa afat i kryetarëve të bashkive krijon precedent të rrezikshëm dhe lë qytetarët pa përfaqësim real.

Kryebashkiakët theksojnë se nuk po kërkojnë imunitet dhe as nuk po paragjykojnë fajësinë apo pafajësinë e të ndaluarve, por kërkojnë respektimin e standardeve evropiane të drejtësisë, transparencës dhe proporcionalitetit.

Në përmbyllje, rrjeti B40 u bën thirrje autoriteteve përkatëse që të mbrojnë demokracinë vendore, të garantojnë procedura të drejta ligjore dhe të respektojnë mandatet e dhëna nga qytetarët përmes votës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related