Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri dhe aftësi përshtatëse vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja ekonomike, përmirësimi i tregut të punës dhe forcimi i sektorit bankar.
Gjatë fjalës së mbajtur në Tiranë, në prezantimin e raportit të tranzicionit 2025–2026 të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sejko theksoi se papunësia ka rënë në nivele historikisht të ulëta, ndërsa punësimi dhe pagat janë rritur. Ai vuri në dukje se produktiviteti i punës është përmirësuar krahasuar me periudhën para krizës financiare globale, ndërkohë që presionet demografike janë kompensuar pjesërisht nga rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës.
Megjithatë, Sejko paralajmëroi se prirjet negative demografike pritet të vijojnë dhe të ushtrojnë presione të konsiderueshme mbi ekonominë. Sipas tij, këto zhvillime mund të ndikojnë në uljen e normave reale të interesit, duke kufizuar hapësirën e politikës monetare për të stimuluar ekonominë, si dhe duke ndërlikuar dinamikën e inflacionit.
Guvernatori theksoi se të dhënat e regjistrimit të popullsisë për vitin 2023 tregojnë se Shqipëria ka rreth 2.4 milionë banorë dhe një moshë mesatare pothuajse 43 vjeç. Emigracioni, i cili më parë ndihmonte në uljen e papunësisë, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një sfidë strukturore për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Ai nënvizoi rolin e politikës monetare në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse, duke theksuar se përballimi i sfidave demografike kërkon ndërhyrje të thella strukturore. Sipas Sejkos, janë të domosdoshme reforma të guximshme në sistemin e pensioneve, modernizimi i tregut të punës, politika të qëndrueshme të migracionit dhe investime për mirëqenien e një popullsie në plakje.
Në përmbyllje, Guvernatori u shpreh se demografia nuk duhet parë si një fat i paracaktuar dhe bëri thirrje për investime në teknologji dhe inteligjencë artificiale, me përfshirjen aktive të brezave të rinj në proceset vendimmarrëse ekonomike.
