Komisioni Europian ka miratuar një paketë mbështetjeje prej 171 milionë eurosh për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës në vendet e Ballkanit Perëndimor, por Kosova nuk do të përfitojë nga kjo paketë financiare.
Sipas Komisionit, arsyeja lidhet me faktin se Kosova nuk i ka përmbushur ende kriteret ligjore për të marrë pagesat, pasi nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Pa këtë hap formal, fondet nuk mund të disbursohen.
Zëdhënësi i Komisionit ka bërë të ditur se shpresohet që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që Kosova të mund të përfshihet në skemën e financimit në një fazë të mëvonshme.
Nga shuma totale prej 171 milionë eurosh, rreth 94.7 milionë euro do të përdoren për projekte infrastrukturore, ndërsa 76.3 milionë euro do të shkojnë për mbështetjen e sektorit privat. Një pjesë e fondeve është ndarë edhe për asistencë teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.
Projektet synojnë të nxisin investime në fusha kyçe si energjia, furnizimi me ujë, digjitalizimi, inovacioni dhe kërkimi shkencor. Fondet infrastrukturore pritet të gjenerojnë investime shtesë prej rreth 263 milionë eurosh në sektorë prioritarë si energjia e pastër, transporti, kapitali njerëzor dhe mbrojtja e mjedisit.
Në mesin e projekteve konkrete përfshihen shtrirja e internetit me brez të gjerë, modernizimi i rrjeteve të energjisë dhe përmirësimi i eficiencës energjetike të objekteve arsimore në disa vende të rajonit.
