Trafikuan kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë përmes lëkurave të kafshëve, SPAK dërgon në gjyq anëtarët e grupit kriminal

Data

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një grup të strukturuar kriminal, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, prodhim dhe shitje droge, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Në total janë marrë të pandehur 11 persona, shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët dyshohet se kanë vepruar si një rrjet i mirëorganizuar me shtrirje ndërkombëtare, në bashkëpunim me grupe kriminale në Amerikën Latine, për importimin e kokainës drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas hetimeve, grupi ka organizuar importimin nga Republika Domenikane të dy ngarkesave të deklaruara si “lëkurë gjedhësh”, brenda të cilave ishin fshehur 90 kilogramë kokainë, me vlerë tregu rreth 3.6 milionë euro. Ngarkesat mbërritën në Portin e Durrësit gjatë muajve korrik dhe nëntor 2024 dhe më pas u magazinuan në ambiente në zonën e Mulletit, Tiranë.

Të pandehurit akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal, drejtim dhe pjesëmarrje në grup kriminal, si dhe për prodhim dhe shitje të narkotikëve në disa ambiente në zonën e Manzës, Durrës. Njëri prej tyre akuzohet edhe për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Nga hetimet ka rezultuar se në këtë aktivitet kriminal janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, për të cilët hetimet vijojnë në një procedim të veçantë penal.

Operacioni është realizuar pas një hetimi të gjatë dhe intensiv, duke përdorur metoda të posaçme hetimore dhe bashkëpunim me autoritete ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related