“I lutem Partisë të më falë për gabimet e rënda që kam bërë” – letra e plotë e Beqir Ballukut drejtuar Enver Hoxhës dhe fati i një prej figurave më të fuqishme të regjimit komunist

Data

“Nga Ndokë   Kola “Ndërsa kundërshtarëve të tij komunizmi iu sul me tërbim dhe i shkatërroi kulturalisht, ekonomikisht dhe fizikisht, njerëzve të vet u shkatërroi dhe u përçudnoi moralin. Ky mendim e kam pasur gjithnjë, por m’u forcua dhe m’u vërtetua edhe më shumë nga transformimi i disa personave që u bënë komunistë, transformim që Liri Lubonja, bashkëshortja e Todi Lubonjës, e përshkruan në librin e saj të kujtimeve.

Ndër të tjera, Liria flet për disa persona që i kishte njohur më parë si njerëz normalë, por që më pas ndryshuan krejtësisht. Për Nexhmije Hoxhën ajo thotë: “Ishte vajzë e butë, e arsyeshme, me sens mase. Më pas, si gruaja e Enver Hoxhës, u distancua nga njerëzit.”

Për Liri Gegën shkruan: “Ishte gjithnjë e qeshur dhe me humor, tejet komunikuese dhe e dashur me nxënëset.” Dhe shton faktin tronditës: “Ishte ajo që vrau Mustafa Gjinishin.”

Ndërsa për Ismail Kadarenë, Liri Lubonja vëren ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj së vërtetës me kalimin e viteve, duke nënvizuar se afrimi i tij me familjen Lubonja dhe krijimi i një miqësie familjare ishte ndikuar edhe nga fakti se Todi Lubonja shihej prej Kadaresë si mbrojtës dhe mbështetës në karrierën e tij letrare, për shkak të pozitës së tij si anëtar i Komitetit Qendror dhe mik i Ramiz Alisë.

Ndërsa për Nexhmijen aludohet se u “prish” nga Enver Hoxha, për të tjerët nuk thuhet se kush i prishi. Por pyetja mbetet: kush i prishi këta njerëz? Unë mendoj se këta persona dhe të gjithë të tjerët që u bënë komunistë, i prishi vetë komunizmi. Madje edhe për Enver Hoxhën nuk gaboj të them se e përkeqësoi komunizmi. Ata që e kishin njohur para se të bëhej komunist i vinin në dukje shumë të meta, por askush nuk kishte aluduar se mund të ishte kriminel. Kriminel u bë pasi u bë komunist. Komunizmi nxjerr në pah dhe shfrytëzon në interesin e tij instinktet më të këqija që mund të ketë njeriu.

Cilësitë e një doktrine nuk mund të kuptohen kurrë nga baza teorike e saj; ajo duhet provuar në jetë. Kur komunizmi u shpall si doktrinë, askush nuk mund të parashikonte gjithë perversitetin e tij. Askush nuk mund të parashikonte se ai nuk do të ishte thjesht diktaturë e një grupi apo klase, por diktaturë e një njeriu të vetëm, të ndarë nga shoqëria njerëzore dhe të pajisur me pushtet të jashtëzakonshëm, pothuaj hyjnor. Dhe, siç thotë Lord Acton: “Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht.”

Të izoluar nga populli, të ndarë me mure dhe roje prej tij, komunistët e lartë rreth Enver Hoxhës shpesh nuk dinin se çfarë ndodhte realisht. Kur i dhanë vendimin e internimit Liri Lubonjës, ajo u shpreh: “Ne as që e kishim ditur se ekzistonte një Komision i Dëbim-Internimeve”, në një kohë që mijëra njerëz internoheshin pa pushim nga ai komision. Ndërsa Nexhmije Hoxha, kur mori lajmin për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, sipas nuses së djalit të saj, Teuta Hoxhës, tha: “Enver, ku vajtën gjithë ato sakrifica? Ku vajti gjithë ajo punë titanike?” – në një kohë që “sakrifica” dhe “puna titanike” e Enver Hoxhës kishin të bënin vetëm me krime, me vrasje shokësh dhe kundërshtarësh.

Liri Lubonja ndan mendimin që kanë shumë ish-të persekutuar komunistë: se përgjegjësinë për gjithçka të keqe e pati vetëm Enver Hoxha. Edhe pse ky mendim përmban të vërteta, nuk është plotësisht i drejtë. Enver Hoxha nuk do të kishte bërë dot atë që bëri, nëse nuk do të ndodhej në një sistem të tillë politik dhe nëse nuk do të kishte rreth vetes një numër njerëzish po aq kriminalë, bashkëpunëtorë në krim, që i dhanë gjithë ndihmën e nevojshme për të denigruar dhe persekutuar të tjerët – derisa, më pas, të denigroheshin dhe të persekutoheshin edhe vetë.

Komunizmi ishte një sistem që, pasi i jepte pushtet absolut “njëshit”, u jepte vlera dhe fuqi edhe të tjerëve, sipas afërsisë që kishin me të. Njeriu vlerësohej jo nga cilësitë individuale, por nga afërsia me epiqendrën e pushtetit. Sa më afër të ishe, aq më shumë “vlerë” kishe. Madje edhe anëtarësia në parti të jepte privilegje. Por këto vlera zgjatnin vetëm sa kohë ishe në pushtet. Kur binte pushteti, binin të gjitha.

Komunizmi prodhoi skllevër, servilë, idhujtarë, spiunë, njerëz pa personalitet, pa dinjitet dhe pa ndërgjegje. Ndërgjegjja e tyre ishte Partia, ishte Enveri. Vlerat morale, njerëzore e kulturore nuk viheshin asnjëherë në peshore.

Me ndonjë përjashtim të rrallë, edhe sot shumë nga viktimat komuniste të regjimit nuk e kritikojnë sistemin komunist dhe nuk e quajnë kriminal. Ata kujtojnë me nostalgji vitet kur militonin në Parti dhe pretendojnë se gjithçka u prish vetëm kur Enver Hoxha i persekutoi ata vetë. Kjo nuk është e vërtetë. Partia Komuniste ishte kriminale që në ditët e para të themelimit të saj, kur planifikoi asgjësimin e çdo mendimi ndryshe.

Lexoni letrat që komunistët e persekutuar i dërgonin Enver Hoxhës, procesverbalet e plenumeve dhe mbledhjeve të Partisë, dhe do të shihni me çfarë egërsie sulmohej ai që vihej në shënjestër, dhe me çfarë paburrërie, servilizmi e mungese dinjiteti silleshin vetë viktimat.

Shembujt që pasojnë – nga Beqir Balluku te Mehmet Shehu, nga Todi Lubonja te Ismail Kadare – janë dëshmi të një sistemi që shkatërroi njeriun e vet, “njeriun e ri”, dhe e shndërroi atë në një qenie të përkulur, të frikësuar, të poshtëruar.

Komunizmi pretendoi se po përçudnonte “njeriun e vjetër”, por në të vërtetë shkatërroi njeriun e tij. Sa më pranë majës së pushtetit të ndodhej njeriu, aq më i kriminalizuar, më i çnjerëzuar dhe më i pashpresë bëhej.

Historia rikthehet.

Memorie.al

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related