“Askush mbi ligjin!”/ Ryshfet dhe keqpërdorim detyre, arrestohen tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës

Data

Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar më 27 janar gjatë një operacioni të Prokurorisë Themelore, nën dyshimet për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe marrjes së ryshfetit.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua me masa të veçanta hetimore, ndërsa një nga zyrtarët u kap në flagrancë duke marrë ryshfet. Prokuroria bëri të ditur se zyrtari dyshohet se ka kërkuar përfitim financiar me qëllim që të ndihmonte realizimin e një pagese për punë të kryera në kuadër të një kontrate me komunën.

Autoritetet kanë inkurajuar qytetarët që të raportojnë çdo rast korrupsioni, duke theksuar se lufta kundër tij mbetet prioritet.

Pas arrestimeve ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili deklaroi se institucioni që ai drejton do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë.

“Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për institucionet e drejtësisë. Askush nuk është mbi ligjin,” u shpreh Rama.

Sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, vepra penale e marrjes së ryshfetit dënohet me gjobë ose burgim deri në 15 vjet, ndërsa për keqpërdorim të detyrës zyrtare parashikohen dënime deri në 10 vjet burg, në varësi të dëmit apo përfitimit të shkaktuar.

Hetimet për këtë çështje vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related