Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se vendi ndodhet në atë që ai e cilëson si “kilometri i fundit” përballë një narkoregjimi.
I ftuar në një emision televiziv, Noka u shpreh se Shqipëria, sipas tij, nuk qeveriset më nga institucione funksionale, por nga grupe kriminale që kanë kapur shtetin dhe procesin zgjedhor. Ai akuzoi qeverinë se ka asgjësuar votën e lirë dhe se ka zhytur vendin në pasiguri, emigrim masiv dhe varfëri.
“Hap rrugën një zgjidhjeje politike, ndryshe fundi do të jetë i shpejtë,” deklaroi Noka, duke paralajmëruar protesta të vazhdueshme dhe përshkallëzim të reagimit opozitar.
Sipas tij, synimi i opozitës nuk është marrja e pushtetit nga Partia Demokratike, por largimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i një qeverie tranzitore ose teknike, e cila do të kishte si mision të vetëm garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Noka foli për një “mllef të paprecedentë” në shoqëri, duke theksuar se qytetarët ndihen të vjedhur dhe të nëpërkëmbur, ndërsa krimi i organizuar, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në institucione dhe zgjedhje.
“Shqipëria sot është narkoshtet,” tha ai, duke shtuar se vetëm një reagim i gjerë shoqëror mund të sjellë rikthimin e demokracisë, rendit kushtetues dhe votës së lirë.
