Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke për sigurinë europiane, duke theksuar se Europa nuk është në gjendje të mbrohet e vetme pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Duke folur para Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Rutte u shpreh se ideja e një mbrojtjeje të pavarur europiane është jo reale dhe financiarisht e papërballueshme. Sipas tij, edhe nëse vendet europiane do të rrisnin shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kjo sërish nuk do të mjaftonte.
“Europa, nëse do të mbrohet vetë, do të kishte nevojë për shpenzime deri në 10 për qind të GDP-së dhe për ndërtimin e kapaciteteve bërthamore që kushtojnë miliarda euro. Pa SHBA-në, humbet garantuesi përfundimtar i lirisë sonë, ombrella bërthamore amerikane”, tha Rutte.
Ai theksoi se marrëdhënia mes SHBA-së dhe NATO-s është thelbësore dhe e ndërsjellë, duke nënvizuar se edhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Aleancën Atlantike po aq sa Europa ka nevojë për SHBA-në.
Në fjalën e tij, Rutte iu referua edhe Ballkanit, duke i kujtuar Serbisë se ende nuk ka dhënë llogari për sulmin terrorist në Banjskë dhe për dhunën ndaj trupave të KFOR-it gjatë trazirave të vitit 2023. Ai theksoi se pret përgjegjësi të plotë për këto ngjarje.
Gjithashtu, shefi i NATO-s foli për rëndësinë strategjike të Arktikut dhe Grenlandës, duke paralajmëruar për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në këtë rajon dhe nevojën për koordinim më të fortë mes aleatëve për mbrojtjen ushtarake dhe ekonomike.
Deklaratat e Rutte-s pritet të nxisin debat të fortë në Europë, në një kohë kur diskutimet për autonominë strategjike dhe sigurinë kontinentale janë gjithnjë e më të pranishme në agjendën politike.
